BSH: Kreditë me probleme në nivel të qëndrueshëm, 4 për qind në korrik
Raporti i kredive me probleme ishte i qëndrueshëm pranë nivelit të 4% edhe për muajin korrik.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues shënoi nivelin 4.04%, nga 4.01% që kishte qenë për qershorin. Ky raport ngelet në rënie krahasuar me një vit më parë, kur shënonte nivelin 4.72%.
Megjithatë, raporti i kredive me probleme është shfaqur i qëndrueshëm pranë nivelit të 4% gjatë gjithë 7-mujorit të parë të këtij viti. Megjithëse portofoli i kredisë ka vazhduar rritjen me ritme dyshifrore, raporti i kredive me probleme e ka frenuar rënien, duke sinjalizuar një rritje në stokun e kredive të këqija.
Mund të vlerësohet se stoku i kredive me probleme është rreth 36.1 miliardë lekë, nga 34.9 miliardë lekë që kishte qenë në fund të vitit të kaluar dhe 37.7 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithëse shënon rënie me 4.2%, që nga fillimi i vitit gjendja e stokut të kredive me probleme është rritur me 3.6%.
Rritja e shpejtë e kreditimit në dy vitet e fundit duket se po shoqërohet edhe me një rritje të sasisë së kredive me probleme. Banka e Shqipërisë është shprehur e shqetësuar për këtë rritje dhe ka nisur aplikimin e masave që tentojnë ngadalësimin e rritjes së kredisë, sidomos për financimin e pasurive të paluajtshme.
Vitin e kaluar, u vendos një rritje në nivelin e shtesës kundërciklike të kapitalit, ndërsa këtë vit u miratuan masa të drejtpërdrejta kufizuese për kredinë për blerjen e banesave nga individët.
Me gjithë tendencën e vazhdueshme në rënie gjatë viteve të fundit, Shqipëria ende vazhdon të ketë një raport të kredive me probleme ndër më të lartët në Rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Të dhënat krahasuese nga Nisma e Vjenës, projekt i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), i takojnë fundit të vitit të kaluar, kur raporti i kredive me probleme për sektorin bankar shqiptar në fund të vitit të kaluar ishte në nivelin 4.17%, niveli i dytë më i lartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vendi me raportin më të lartë të kredive me probleme në fund të vitit 2024 ishte Mali i Zi, në nivelin 4.7%.
Mali i Zi, së bashku me Shqipërinë, në periudhën e pas krizës financiare të vitit 2008 pati nivelet më të larta të raportit të kredive me probleme. Me gjithë uljen graduale, sidomos pas vitit 2017, ende ato vazhdojnë të kenë nivelet më të larta të këtij treguesi krahasuar me vendet e tjera të këtij rajoni.
Pas Shqipërisë, vijon Bosnje Hercegovina, me një raport të kredive me probleme në nivelin 3.2%, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, me 2.6%, Serbia, me 2.5% dhe Kosova, me 1.8%.